Përktheu: Renato Kalemi
Akseli dhe Beatrisi janë një çift pleqsh, që nisen në kërkim të djalit të tyre në një rrugëtim përmes tokash të mbuluara nga një mjegull e dendur, që ua ngatërron dhe fshin kujtimet. Në vendin e britonëve dhe saksonëve, ku prej pak kohësh mbretëron paqja e vendosur nga mbreti Artur, të dy pleqtë hasin rrugës krijesa fantastike, përballen me mrekulli dhe u shpëtojnë rreziqeve vdekjeprurëse: një barkëtar i ngjashëm me Karontin, që shpie çifte si ata drejt një “ishulli me cilësi të veçanta”, duke lënë shpesh në tokë vejane fatzeza; fshatra të sulmuara nga përbindësha dhe pre e supersticioneve mizore; elfë, kukudhë, dragonj, shëronjës dhe murgj të pabesë, një kalorës, sër Gavinin, me sjellje kalorësiake dhe donkishoteske, një luftëtar trim e të paepur dhe një djalë riosh të pambrojtur... Përgjatë gjithë udhëtimit, Akseli dhe Beatrisi rreken të kujtojnë jetën që kanë kaluar së bashku. Në sipërfaqe shfaqen kujtime të bukura dhe dhembje të thella, një dashuri që ka kapërcyer çdo vështirësi, ndonëse e spërkatur me mërira të fshehura mirë dhe kaq të thella, saqë asnjëri prej dy protagonistëve nuk arrin të flasë qartë për to. Ky udhëtim do t’i shtyjë të mendojnë dhe të zbulojnë diçka për botën që i rrethon dhe për lidhjen e tyre fort të thellë dhe të pazgjidhshme.
“Gjiganti i fjetur” është një reflektim i hollë dhe melankolik për kujtesën dhe harresën, si dhe për rolin që luajnë ato jo vetëm në jetën e individëve, por edhe të vendeve e popujve.
* * *
“... po sikur ajo që ruajmë sot në zemër t’u ngjajë këtyre pikave të shiut që na bien mbi kokë nga gjethet e pemës, ndonëse qielli vetë është kthjelluar e s’bie shi prej kohësh. Po sikur, pa këto kujtime, dashuria jonë të jetë e paracaktuar të vdesë, duke u shuar ngadalë?”
“Një vëzhgim i thellë për kujtesën dhe fajin, por edhe një rrëfim i mbushur me atmosferë të jashtëzakonshme, një histori që lexohet kaq lehtë dhe përpihet me një frymë. Një roman i dhimbshëm dhe shumë i bukur rreth detyrës për të kujtuar dhe nevojës për të harruar.” The Guardian
“Gjiganti i fjetur” bën atë që bëjnë librat e mëdhenj: të mbetet gjatë në mendje pasi e ke lexuar, refuzon të largohet, duke të detyruar t’i rikthehesh gjithnjë e më shpesh.” The New York Times
“Ishiguro i trajton rrëfimet letrare me anë të alegorisë dhe aluzionit. Njerëzit dhe gabimet e tyre janë në qendër të kësaj përralle.” The Indipendent